Shkollat publike në Nju Jork do jenë në pushim për Bajram!

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Për herë të parë shkollat publike në Nju Jork do të mbyllen ditën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në Islam.
Kryebashkiaku demokrat Bill de Blazio e kishte shpallur vendimin qysh në mars, “për të pasqyruar forcën dhe diversitetin e qytetit tonë”.
Kështu 1.1 milion nxënësit e rreth 1800 shkollave publike të qytetit më të madh amerikan do të jenë pushim të enjten, pasi ishin edhe të mërkurën për festën hebreje të Jom Kipurit.
Ndërkohë, është vendosur që nga viti i ardhshëm të jetë ditë pushimi edhe festa e Fitër Bajramit.
Shkollat publike të Nju Jorkut mbyllen gjatë disa festave të krishtera dhe hebreje, ndërsa përveç dy Bajramëve të myslimanëve do të jetë pushim edhe dita e Vitit të Ri hënor, që kremtohet në Kinë dhe në disa vende aziatike. Vitin e ardhshëm kjo festë është më 8 shkurt.
“Është një fitore e madhe që ia arrijmë kësaj dite”, u shpreh për AFP-në Linda Sarsur, anëtare e “Koalicionit për Pushimet e Shkollave Myslimane” dhe nënë e tre fëmijëve.
“Si imam dhe si prind, jam shumë i gëzuar”, deklaroi imami Shemsi Ali, drejtor i Qendrës Myslimane Xhamajkane në zonën e Kuinsit. “Mendoj se kjo politikë do t’i bëjë myslimanët të ndihen të përfshirë”, shtoi ai,shkruan Shekulli.
Deri më sot, prindërit myslimanë përballeshin me dilemën nëse duhet t’i mbanin fëmijët në shtëpi për festë, apo t’i dërgonin në shkollë sikurse ditët e tjera, e të festonin pa ta.