Shtyhet ​shqyrtimi i Raportit për Shërbimin Civil

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Është shtyrë për javën e ardhshëm shqyrtimi i Raportit për Shërbimin Civil për vitin 2014, nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Pasi anëtarët e këtij komisioni konsideruan se ky raport ishte i mangët, pa shumë të dhëna, dhe se atë askush nga Qeveria nuk kishte ardhur për ta prezantuar.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes Shqipe Pantina, tha për këtë raport tha se përbëhet prej vetëm 20 faqesh, është shumë i dobët, dhe se duke folur për hallkën kryesore të Administratës Publike, shërbimin civil, ky raport do të duhej të ishte më i detajuar. “Kam prit që ky raport t’i identifikojë se cilat kanë qenë problemet, sfidat dhe cilat janë rekomandimet që Qeveria mendon e që e prekin ose do të përfshihen në reformën në strategjinë për reformimin e pushtetit lokal, i cili është duke vazhduar. Raporti është 20 faqe, prej tyre gjysma janë tabela, që nuk thonë bash asgjë hiç. Kështu iu kisha lutur që nuk e di , t ë kalon edhe një javë ose bëni diçka, se është tejmase i dobët”, tha Pantina.
Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së Sadri Ferati, tha se sa herë që flitet për Administratën Publike, vazhdimisht do të gjinden mbipunësime, mungesa të rregulloreve të brendshme dhe se pikërisht për sanimin e kësaj gjendje deputetët duhet të japim kontributin e tyre. “Mendoj që jo vetëm sot një javë ta shtyjmë por kisha pas dëshirë që në organizim të Ministrisë shumë miqësisht ne ta organizojmë një punëtori disa orëshe, me atë që pajtohem dal unë në debate nesër e flas e jo me fol ndryshe në debat, për populizëm me ngushtu ministrin e në fund me thënë pse nuk po ndodh reforma”, tha Ferati.
E për deputetin Zafir Berisha, përfaqësuesit e Qeverisë do të duhej të ishin të pranishëm në këtë takim pasi që sqarimet që ai do të kërkonte do të duhej të jepeshin prej tyre. Ai madje pyeti deputeten e PDK-së Xhevahire Izmaku e cila ishte edhe në mandatin e kaluar në këtë Komision se si veprohej në situata të tilla.
Izmaku iu përgjigj Berishës duke thënë se në mandatin e kaluar për të prezantuar këtë raport ishte i pranishëm vetë ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar.
Ndërsa pas tërë këtyre diskutimeve u vendos që mbledhja e radhës të mbahet të mërkurën, ndonëse nuk u specifikua se a do t’i bëjnë ftesë apo jo ministrit apo ndonjë përfaqësuesi të Qeverisë për të arsyetuar raportin.