Bashkia e Tiranës mohon që dikush të ketë hyrë sot në zyrën e kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe ta ketë qëlluar atë me shpullë, pasi ai e kishte hequr nga puna. Të kontaktuar nga KosovaPress përfaqësues të zyrës së shtypit pranë Bashkisë së Tiranës, pranojnë se paraditen e sotme ka pasur një situatë të tensionuar në Bashki, ku është parë një person tek bërtiste në korridor me të madhe, dhe menjëherë është shoqëruar jashtë godinës së Bashkisë.
Të njëjtat burime sqarojnë se nuk ka ndodhur asgjë nga ajo që qarkullon në media, pra se është goditur kryebashkiaku me shpullë.
Megjithatë Bashkia e Tiranës ende nuk ka dhënë detaje të sakta se kush ishte ky person i tensionuar në ambientet e bashkisë, pse kishte hyrë aty dhe kë kërkonte të takonte?!
Mëngjesin e sotëm u raportua se një grua e shkarkuar nga puna ka hyrë në zyrën e kryebashkiakut dhe e ka goditur me shpullë.
Ajo ka qenë, punëtorja e magazinës që ka goditur me shkelm edhe shefen e kabinetit, e cila ka bërë menjëherë denoncimin.
Policia ka shkuar urgjentisht në vendngjarje dhe ka ndaluar punonjësen e shkarkuar ndërsa ka shoqëruar në komisariat edhe shefen e kabinetit për të bërë denoncimin përkatës. Emri i punonjëses së magazinës nuk bëhet i ditur ende ndërsa pritet që të publikohen të tjera detaje nga ngjarja.
