Togeri i Policisë, Saim Januzi i cili sot u suspendua nga puna për keqtrajtimin e fotoreporterit të “Kohës Ditore” dhe atij të portalit “Indeksonline”, ka qenë i dyshuar për rastin e një vjedhjeje të stolive dhe mallrave luksoze në vlerë prej gati 2 milionë euro në dhomën e hotelit me pesë yje në Barcelonë të një gjenerali, birit të presidentit kurd-irakian Massoud Barzani.
Më 10 korrik 2012, një gjykatës vendas në gjykatën e Qarkut në Prishtinë e konfirmoi aktakuzën e ngritur nga një prokuror i EULEX-it kundër gjashtë të dyshuarve, njëri nga të cilët oficer i lartë i ROSU-së, në lidhje me një vjedhje që kishte ndodhur në Barcelon në korrik të vitit 2009.
“Aktakuza është konfirmuar kundër Haki Januzit, Artan Xhaferi-Jelliqit dhe Shemsedin Benarbës, të cilët akuzohen për veprën penale të vjedhjes së rëndë. Artan Xhaferi-Jelliqi, po ashtu akuzohet për kontroll, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve. Gjykatësi e konfirmoi aktakuzën edhe kundër Afrim Ymerit, Abedin Bekës dhe Saim Januzit, të cilët akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryerësve të veprës pas kryerjes së kësaj vepre penale”, thuhet në një vendim të EULEX-it, korrik 2012.
Rikujtojmë se togeri Saim Januzi i Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, është suspenduar nga detyra për dyzet e tetë (48 orë), me vendim të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.
Suspendimi i tij ka ardhur pasi ky i fundit ka penguar në punën e tyre fotoreporterin e portalit Indeksonline Blerim Uka dhe atë të gazetës Koha Ditore, Driton Paçarada, raporton Kosovalive.
