Kandidaturën në zgjedhjet e radhës për krahinën dhe qytetin e Vjenës e ka paralajmëruar edhe një listë turke, e iniciuar nga një mjek me prejardhje turke, Turgaj Taskiran.
Ky paralajmërim ka tronditur skenën politike në Austri, ngase kjo listë etnike mund t’i kushtojë me shumë vota partive ekzistuese.
Taskiran është ish-kryetar i Unionit të Demokratëve Turq të Evropës, UETD, që ishte i afërt me partinë në pushtet në Turqi, AKP.
UETD u themelua para 11 viteve në Gjermani, ndërsa degët e veta i hapi edhe në shumë shtete të Evropës, përfshirë këtu edhe Austrinë.
Taskiran, i cili do të jetë bartës i listës, gëzon mbështetje të madhe të komunitetit turk në Austri. Ai theksoi se kjo nuk do të jetë një listë e AKP-së, ngase në të përveç turqve do të ketë edhe kurdë dhe alavitë.
Si arsye për kandidimin me listë të veçantë ai e përmendi lëvizjen e Austrisë kah e djathta dhe forcimin e ksenofobisë në vend. Me një pjesëmarrje prej një të tretën në numrin e përgjithshëm të popullatës në Vjenë, imigrantët në zgjedhjet lokale paraqesin një potencial të rëndësishëm votues.
Partia e Lirisë e Austrisë, parti kjo e ekstremit të djathtë, ka theksuar se kandidimi i një liste turke në zgjedhjet në Vjenë do të ishte skandal. Zyrtarët e kësaj partie kanë theksuar se turqit nuk duhet të keqpërdorin mikpritjen dhe shtuan se atyre, të cilëve nuk ju pëlqen jeta në Austri, lirisht mund të kthehen në Turqi./21Media
