Përcillen për në banesën e fundit 25 nga 32 viktimat e sulmit me bombë në Suruc të Turqisë. Qindra qytetarë ishin mbledhur në ceremoninë e organizuar në oborrin e një xhamie në qytetin jug-lindor Gaziantep.
Menjëherë pas ritualeve, arkivolet me trupat e pajetë të viktimave iu janë dorëzuar familjarëve dhe janë varrosur në qytete të ndryshme.
Ndërkohë që personat që ishin të pranishëm aty kanë shpërthyer në thirrje kundër ISIS. Ata kanë bërë thirrje edhe kundër presidentit Rexhep Taip Erdogan, pasi sipas tyre nuk ka bërë mjaftueshëm për të parandaluar sulme terroriste.
Kryeministri Ahmet Davutoglu, duke folur pranë vendit të shpërthimit, ka hedhur poshtë thirrjet e qytetarëve se qeveria nuk ka bërë asgjë kundër terrorizmit, duke shtuar se “do të ndëshkohet kushdo qoftë ai që ka sulmuar Turqinë, qeveria nuk ka toleruar asnjëherë asnjë grup terrorist”.
Në të njëjtë kohë, Davutoglu ka thënë se autoritetet kanë identifikuar një të dyshuar, i cili mendohet se ka lidhje me Shtetin Islamik. Ai ka njoftuar se 29 nga 100 të lënduarit në këtë shpërthim janë ende në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Thirrjeve të qytetarëve u bashkohen, partia opozitare CHP dhe grupet kurde të cilët kanë akuzuar qeverinë se nuk ka shpallur asnjë ditë zie. Qyteti Suruc, i cili është shumë afër me qytetin Kobane të Sirisë strehon prej disa muajsh refugjatë të larguar nga luftimet në vendin e tyre.
