Vendbanimi antik i Orikumit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Gjiri i Vlorës është një nga perlat turistike të vendit tonë. Përveç aktiviteteve të zakonshme sportive dhe detare, në guidën e ardhshme arkeologjike me siguri Orikumi do të zërë vendin e margaritarit
Orikumi (Jeriko-Pashalimani) pavarësisht se nuk ka të dhëna arkeologjike të periudhës së lashtësisë, mendohet se mund të ketë qenë një nga qendrat më të vjetra të banuara në trojet para-ilire, ilire dhe shqiptare. Orikumi mendohet që të jetë banuar që në periudhën e bronzit dhe të hekurit, në mijëvjeçarin e II-I para erës sonë. Në letërsinë historike të antikitetit, në bregdetin ilir të Ballkanit përmenden disa koloni greke, si dhe kontaktet e tyre me hinterlandin ilir. Kolonizimi helen i bregdetit tonë, është pjesë e rëndësishme e ngulimeve perëndimore të grekëve, rolin kryesor të të cilit e ka luajtur qyteti i Korintit.
Ai ka filluar nga gjysma e dytë e shekullit VIII p.e.s, me themelimin e kolonisë së Korkyrës në vitin 737 p.e.s në ishullin e Korfuzit. Pas kësaj, në fund të shekullit VII pasi u kolonizua Buthroti (Butrinti i sotëm), në vitin 627 p.e.s u themelua kolonia e Dyrrahut (Durrësit) dhe në vitin 588 p.e.s pranë kodrës së fshatit Pojan, u themelua Apolonia. Në literaturën antike, për koloninë helene të Orikumit si datë e përafërt e themelimit jepet nga Stefan Bizantini në veprën “De urbibus et populis” (Qytetet dhe Popujt), i cili përveçse thekson se koha e themelimit është e njëjtë me atë të Apolonisë, thotë gjithashtu se të dy këto koloni u ndërtuan pranë qendrave të banuara më parë nga ilirët.
Mbas kësaj date Oriku (Oriku-Jeriko– Eriko-Pashalimani- Orikumi) do të vazhdojë të banohet pa ndërprerje jo më nga kolonët, por nga popullsia vendase e krahinave për rreth Gjirit të Vlorës. Në këtë shkrim, objekt është fiksimi paraprak dhe kronologjik i dokumenteve që kemi studiuar për Orikumin dhe jetën plot dramacitet të tij. Në autorët e parë antikë që përmendin ekzistencën e Orikut jo si vendbanim fushor i thjeshtë, por si qytet (polis), është Hekateu i Miletit në veprën e tij “Europa”, shkruar rreth viteve 514- 510 p.e.s.
Sipas dëshmive të Tit Livit, në verë të vitit 214 p.e.s, kur Filipi V i Maqedonisë sulmoi Orikumin, ai e pushtoi atë me lehtësi, “mbasi qyteti nuk kishte as ledhe dhe as mure të forta”. Por kur Çezari zbarkoi në Iliri, Orikumi ishte plotësisht i fortifikuar. Koha e ndërtimit të mureve rrethuese mbrojtëse të Orikumit mendohet të jetë realizuar gjatë shekullit II p.e.s deri në mesin e shekullit I p.e.s. Gjatë veprimeve luftarake kundër Pompeit në hapësirat Ilirike, Çezari la për mbrojtjen e mureve të Orikut 3 kohorta. Përshkrimin më të saktë të fortifikimit të Orikut e kemi nga arkeologu Francez L.Heyzey në veprën “Mission arkeologique de Macedoine” botuar një shekull më parë.
Ai thotë se qyteti ishte ndërtuar dhe fortifikuar me shumë shije dhe se traseja e rrethimit kishte një formë ovale, ku muri helenik më i vjetër ishte ndërtuar më vonë me tulla e llaç. Një rrethim të veçantë krijonte gjithashtu akropoli, i cili ndodhej në majë të kodrës dhe ndahej në dy pjesë nga një mur i brendshëm. Siç del nga përshkrimi i Heyzeyt, Oriku ka qenë i mbrojtur nga një mur rrethues me tulla të vendosura mbi një xokol gurësh të punuar si në Apolloni dhe Lis. Oriku nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së babait të historisë Herodotit të Halikarnasit, i cili e përmend atë në Librin IX, 93 të “Historisë”.
Oriku është qyteti i parë, që haset nga e djathta kur hyhet në Adriatik. Banorët e tij, orikët, vijnë nga krahina e Amantias. Në pjesën e brendshme (të gjirit-ÇF) fqinjë me orikët janë kaonët, që jetojnë deri në Dodonë së bashku me antitanët. Gryka e gjirit Jon (Kanali i Otrantos- ÇF) shkon që nga malet Akrokeraune deri në Kepin e Japygise (Itali). Adriatiku dhe Joni janë e njëjta gjë. Në veprën e tij prof. Shaban Demiraj e përmend disa herë Orikun, duke e konsideruar atë dhe Apoloninë më shumë si enklava tregtare se sa si koloni greke. Oriku i formuar rreth shekullit VI p.e.s. lulëzon deri në shek. II të e.s., kur në Gjirin e Vlorës u themelua (shfaq) Aulona.
Sidoqoftë edhe më vonë Oriku vazhdoi të përdorej, si kantier ndërtimi dhe skele, por jo si qendër e rëndësishme e fortifikuar. Me pushtimin romak të Ilirisë mund të mendohet që si në qytetin e Orikut, ashtu edhe në atë të Aulonës (Vlorës), të jenë vendosur kolonë latinë. Kështu që, greqishtja u rikthye si gjuhë zyrtare, duke zëvendësuar latinishten vetëm mbas shek. VI të e.s, kur Ballkani kaloi në Perandorinë Bizantine. Orikumi trajtohet dhe citohet pothuajse nga të gjithë autorët antikë ndër të cilët mund të përmendim: Herodoti (484- 425 p.e.s), Skylaksi ( shek.VI-V. p.e.s), Polybi (200-120 p.e.s), Skymni (shek. III-II p.e.s) etj.