Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës së shpejti do të kumtojnë emrin e fituesit të kontratës me vlerë disa miliarda dollarë, që ka të bëjë me prodhimin e gjeneratës së re të aeroplanëve bombardues, të cilët do të zëvendësojnë aeroplanët e vjetër nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Edhe pse sipas definicionit janë bombardues, aeroplanët e ri do të pajisen edhe me teknologjinë më moderne për spiunim.
Për të siguruar kontratën për programin Aeroplanët bombardues me rreze të gjatë të veprimit janë duke luftuar dy gjigantët më të mëdhenj në fushën e industrisë së armatimit, Northrop Ganmen dhe Lokhed Martin.
Programi përfshin prodhimin e 80 deri në 100 aeroplanë bombardues, të cilët do të zëvendësojnë aeroplanët B52 dhe B1. Çmimi i një aeroplani do të jetë 550 milionë dollarë.
Sa i përket të dhënave për fluturaket e reja, ato po ruhen në fshehtësinë më të madhe. Supozohet se aeroplanët do të pajisën me teknologjinë më të re dhe më moderne stelth, e cila do ti bëjë ata pothuajse të padukshëm për radarët e armikut.
Ata do të pajisen edhe me teknologjinë më të re për spiunim dhe grumbullim të informatave dhe do të jenë pothuajse të pazëshëm.
Dëshira e Pentagonit është që këto fluturake të mund të drejtohen edhe pa pilot, por sipas nevojës, ato të ketë mundësi të drejtohen edhe nga pilotët me përvojë. Sipas vlerësimeve të para, këta aeroplan do të jenë operativ para vitit 2030./21Media
