Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar sonte dy djemtë e njërit nga komandantët e UÇK-së, Sabit Gecit, se kanë therur me thikë dy aktivistë të kësaj partie.
“Rreth orës 21:20 katër persona, nga të cilët dy të armatosur, kanë sulmuar dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje brenda në hollin e zyrës dhe para objektit.
Dy nga sulmuesit ishin djemtë e Sabit Gecit, Alban dhe Kushtrim Geci të cilët kanë të kaluar kriminale. Policia i arrestoi këta dy persona ndërsa dy të tjerë kanë ikur.
Dy aktivistë të Lëvizjes janë therur me thikë dhe po trajtohen në QKUK.
Ky sulm është sulm i planifikuar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe është i papranueshëm. Të tilla sulme nuk e ndalin Lëvizjen në kauzën e saj të drejtë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Më herët nga Policia e Kosovës për KosovaPress-in deklaruan se gjatë një rrahjeje në qendër të Prishtinës, te posta në rrugën UÇK, tre veta janë therur me thikë, ndërsa janë arrestuar dy të dyshuar për incidentin.
