Zotime për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, i kryesuar nga Albulena Haxhiu, priti sot në një takim ambasadorin e OSBE-së në Prishtinë,Jean Claude Schlumberger. Z. Haxhiu në fillim të takimit thekoi se ambasadori Schlumberger ka shprehur dëshirën për këtë takim, qëllimi i të cilit është thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit të këtij Komisioni dhe OSBE-së.
Në fjalën e tij ambasadori i OSBE-së në Prishtinë,Jean Claude Schlumberger, pasi përgëzoi Komisionin për punën që bën, foli gjerësisht për format e bashkëpunimit, duke u ndalur posaçërisht në këmbimin e ideve, pastaj kontributin që jep OSBE-ja në fushën e hartimit sa më të mirë të ligjeve,në lëmin e trajnimeve, si dhe zgjerimin e aktiviteteve në veri të vendit.
Si në fjalën e Albulena Haxhiut, ashtu edhe të deputetëve, u tha se Komisioni është transparent ndaj subjekteve të bashkësisë ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, duke shprehur njëkohësisht edhe zotimin për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit, si partnerë që kanë raporte korrekte. Ndër temat tjera të bashkëpunimit u përmendën edhe çështja e monitorimit të zbatimit të ligjeve, ngritja e efektshmërisë së sistemit ligjor,funksionet mbikëqyrëse të Kuvendit, puna e Grupit të Grave Deputete,çështja e ngritjes së cilësisë së përkthimeve , sidomos kur është fjala për ligjet etj./21Media