Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur për marrëveshjen, me ndërmjetësim ndërkombëtar, të firmosur nga katër liderët e partive politike që pritet t’i japë fund krizës në Maqedoni. Me këtë rast Ahmeti ka çmuar rolin vendimtar, siç është shprehur, të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Ai në një intervistë për programin “Zigzag” të Televizionit Art të Tetovës, ka thënë se marrëveshja ka peshë të rendësishme.
“Mund të quhet lirisht një marrëveshje me peshë të rëndësishme, po pse të mos thuhet edhe historike, sepse për vendin hapet një kapitull i ri për rregullimin e shumë çështjeve që mbase edhe më herët kanë kërkuar zgjidhje, por ka pasur hezitime nga njëra apo tjetra palë. Ta zëmë, shumë e levërdishme dhe demokratike për vendin është që tre muaj para zgjedhjeve, kryeministri i cili është edhe kryetar partie, të jepë dorëheqje dhe të garojë si i barabartë në mesin e të barabartëve. Ky moment parashihet në këtë marrëveshje që ne e kemi firmosur”, ka thënë Ahmeti duke saktësuar se ky përcaktim tash e tutje do të bëhet rregull.
I pyetur, se sa janë të vërteta spekulimet se në raundin e dështuar të Brukselit, ka mbajtur anën e Gruevski, karshi Zaevit, Ahmeti ka thënë se nuk është e vërtetë se ka mbajtur anë.
“Nuk është e vërtetë që unë kam mbajtur anë, as në Bruksel, as në Shkup. Unë nuk kam dashur dhe këtë ua kam thënë shumë hapur edhe Gruevskit, edhe Zaevit, nuk dua të poshtërohet kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Gruevski, por nuk dua as që të denigrohet lideri i opozitës. Unë në këto negociata, në këto takime, vërtetë kam shkuar i çliruar, pa ngarkesa dhe gjithmonë pozita ime ka qenë, duke parë pozitat e tyre, dhe kjo ka qenë pikënisja ime, të ndihmoj të dyja palët që ta tejkalojnë veten dhe në plan të parë të vendosin interesat shtetërore dhe në plan të dytë interesat partiake. Sepse, në qoftëse degradon shteti është shumë vështirë të rikuperohet, të rigjenerohet. Sepse, nëse humb partia ajo mund të fitojë në zgjedhjet pasuese që vijnë, kurse me shtetin kjo është shumë vështirë”, ka deklaruar lideri i BDI-së.
