Procesi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri shkoj mirë, me disa probleme të vogla që janë vërejtur, vlerësuan anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kosova, të cilët kanë monitoruar këtë proces nga afër. Sipas tyre, në qendrat e votimit që kanë vëzhguar kanë vërejtur grumbuj njerëzish para qendrave të votimit të cilët nuk dinin pse qëndronin aty.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka tha se vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri e kanë bërë me ftesën e KQZ-së së Shqipërisë. Ajo theksoi se problemet e vërejtura në këto zgjedhje janë të njëjta me ato të Kosovës.
Anëtari i KQZ-së Florian Dushi thotë se nga ajo që kanë parë në qendrat ku i kanë vëzhguar, nuk kanë parë ndonjë parregullsi që do ta prishte procesin, çka edhe ka bërë që procesi të zhvillohet normalisht.
Edhe Dushi thotë zgjedhjet në Kosovë dhe ato në Shqipëri kanë të elemente të ngjashme, megjithatë subjektet politike mund të marrin elemente sidomos nga fushata, ndonëse jo gjuhen e përdorur.
Megjithatë, Dushi shpreson që edhe rezultatet do të jenë të pranuara nga subjektet politike që kanë marr pjesë në këto zgjedhje.
