Doris Ayling, 100 vjeç, ka mbetur e shokuar kur në shtëpi i kanë mbërritur përgjigjet e disa analizave që kishte kryer, sipas të cilave ajo ishte shtatzënë.
Doris Ayling kishte kryer në spitalin e Portsmouthit një vizitë, por mjekët i kishin bërë asaj edhe analizat e urinës.
Sigurisht bëhet fjalë për një gabim të spitalit, i cili menjëherë i ka kërkuar falje familjes.
“Është një gabim i rrallë i administratës, dhe ne kemi kërkuar falje për çdo stres apo ankth që kemi shkaktuar”, ka thënë një zëdhënëse e spitalit për mediat britanike.
Dikur një ish-kuzhiniere shkolle, Ayling është nënë e tre fëmijëve dhe gjyshe e stërgjyshe e 20 nipërve dhe mbesave.
“Unë jam gati 100 vjeç, si mund të jem shtatzënë? Unë kam tre fëmijë dhe 20 nipër e mbesa, por nuk kam qenë shtatzënë që prej 70 vjetësh”,”, shprehet me habi e moshuara.
Brian, djali i saj, e ka marrë me sportivitet këtë gabim. Ai thotë se kjo është shumë zbavitëse. “Janë gjëra që ndodhin. E gjitha familja është shkrirë së qeshuri”, thotë Brian.
