Kanë aplikuar filma të shteteve të ndryshme të botës si: Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Britania e Madhe, India, Franca, Irani, Spanja, Kanada, Italia, Brazili, Gjermania, Turqia, Rusia, Australia, Polonia, Irlanda, Argjentina, Egjipti, Norvegjia, Korea…, prej të cilëve do të pranohen vetëm 31 filma artistik
Nga 2654 filma të cilët kanë konkurruar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Bride Film Fest” në Mitrovicë, do të pranohen vetëm 31 filma artistik. Në një komunikatë për media ky festival njoftoj se dje është mbyllur konkursi për pranimin e filmave artistik të metrazhit të gjatë dhe atij të shkurtër ku kanë aplikuar filma të shteteve të ndryshme të botës si: Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Britania e Madhe, India, Franca, Irani, Spanja, Kanada, Italia, Brazili, Gjermania, Turqia, Rusia, Australia, Polonia, Irlanda, Argjentina, Egjipti, Norvegjia, Korea, Portugalia, Austria, Zvicra, Danimarka, Singapori, Greqia, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Ekuadori, Kosova, Angola, Afrika Jugore, Pakistani, Hong Kongu, Bosnja, Kuba, Bjellorusia, Sllovenia, Sllovakia, Vietnam, Algjeria, Uganda, Luksemburgu, Guadalupe, Isle of Man, Gana, Katari e shumë vende te tjera, transmeton Kultplus.
“Filmat që tashmë kanë ardhur, do të selektohen nga stafi organizativ në bashkëpunim me profesionistë të fushës. Për çdo hap dhe vendim, artistët dhe regjisorët do njoftohen për filmat e përzgjedhur dhe procedurat e mëtutjeshme. Përzgjedhja pritet të zgjasë rreth një muaj. Ndërsa ky festival së shpejti do të hap konkursin e ri për pranimin e dokumentarëve me tematika rreth mjedisit (BFFgoesGREEN)”, kanë njoftuar organizatorët.
Ky festival sivjet mban edicionin e dytë të tij, ndërsa për qëllim ka krijimin e urave të komunikimit ndër-etnik nëpërmjet artit, edhe sivjet mëton të krijojë frymë të mirë bashkëpunimi për të sjellë vlera e ajër më të lehtë për Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore.
