Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim të thellë për sjelljen e djeshme të zyrtarëve policorë ndaj fotoreporterit të “Indeksonline” dhe “Kohës Ditore” në Mitrovicë.
AGK-ja edhe dje ka kërkuar nisjen e hetimeve dhe marrjen e masave ndaj të gjithë atyre zyrtarëve policorë që kanë qenë të përfshirë në veprimet e djeshme në Mitrovicë.
Në emër të gazetarëve, AGK ua rikujton institucioneve se është e papranueshme çdo pengesë nga ana e tyre në ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.
Institucionet janë të thirrura të krijojnë kushte dhe siguri për gazetaret, e jo t’i pengojnë në ushtrimin e pavarur të profesionit të tyre. Çdo tentim për pengim, njëkohësisht nënkupton tendence të ndikimit mbi fjalën e lirë.
AGK fton Policinë e Kosovës që t’ua tërheqë vërejtjen zyrtarëve policorë për sjelljen e tyre në raport me gazetarët.
Njëkohësisht, kërkon nga Policia e Kosovës që të fillojë të mendojë për trajnime të veçanta për krijimin e sigurisë së nevojshme dhe komunikimit me gazetarë.
AGK do të jetë bashkëpunuese me institucionet në këtë drejtim dhe do t’i ofrojë kapacitetet e nevojshme për të arritur komunikim sa më të mirë në mes te gazetarëve dhe zyrtarëve policorë.
