Ambasadori Garet për TV21: Besoj në vullnetin politik të liderëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Takimet që kishin zhvilluar katër liderët politik pas ngritjes së tensioneve me aferën e përgjimeve, janë mbresëlënëse meqë kanë prodhuar rezultate, që japin shpresë për ndryshim të mëtejmë, vlerëson ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup, Çarlls Garet. Ai për TV 21 tha se rezultatet janë të prekshme, meqë opozita është kthyer në Kuvend pas bojkotit të gjatë, dhe se gjërat po ecin në rrjedhën e tyre.
“Mendoj se rezultati i deritashëm, me LSDM-në e cila është kthyer në parlament, me marrëveshjen për Prokurorinë Special, dhe natyrisht edhe marrëveshjet e zorshme paraprake që u nënshkruar me 2 qershor dhe 15 korrik, tregojnë se ekziston vullneti politik, në mesin e liderëve, që të takohen dhe të gjejnë marrëveshje. Andaj, përgjithësisht unë jam optimist për këto cështje, pavarësisht se sa të vështira janë ato. Unë besoj dhe shpresoj, se do të kemi dicka në kohën e duhur”, tha Garet.
Marrëveshja e Përzhinos deri më tani ka rezultuar me zgjedhjen prokurores speciale, e cila do të hetojë dyshimet e ngritura lidhur me aferën e përgjimeve, dhe atë të rastit “Puç”.
Ndër të tjera, si pjesë e pakos së marrëveshjes është edhe rregullimi i procesit zgjedhor, nga pastrimi i listave të votuesve, e deri tek ndryshimi i mënyrës së votimit të diasporës. Edhe pse zyrtarisht nuk komunikohet ndonjë ndryshim në këtë agjendë, diplomati britanik thotë shprehet optimist se edhe ndryshimet në këtë aspekt do të arrihen në afat. “Qëndrimi im për këtë është se asnjë prej këtyre pyetjeve nuk është e lehtë, të gjitha prej tyre janë të ndjeshme. Do të duhet guxim i vërtetë dhe punë serioze, nga të gjitha palët, për të arritur pajtim për këto çështje. Tashmë kemi arritjet e marrëveshjeve të kaluara, si ato para Përzhinos, edhe ato pas Përzhinos, të cilat tregojnë se vullneti politik ekziston. Andaj, unë jam optimist edhe për këtë cështje”, theksoi Garet.
Marrëveshja për pakon zgjedhore është dashur të dalë në dritë të mërkurën, me ndryshimet për të cilat janë pajtuar hisedarët e këtij procesi. Mirëpo, takimi i grupit punues nuk prodhoi asnjë risi për publikun. Siç mësohet, dallimet mes palëve për këto tema mbeten ende të pakalueshme. Gjithçka pritet të vendoset nga vetë liderët deri më 6 tetor, afat i vendosur nga Brukseli përmes komisarit Johanes Han.