“Katër ditë drithërima pianistike ku të gjithë adhuruesit mund të kënaqen me muzikë pianistike”, është përshkrimi që i bëjnë organizatorët festivalit në të cilin në mesin e interpretuesve është edhe pianistja kosovare Ardita Statovci, që tashmë ka prerë biletën për qytetin jugor suedez Trelleborg.
Mes datave 4 e 7 të këtij muaji, sa zgjat festivali, pianistja nga Kosova me nam botëror do të ngjitet tri herë në skenën e “Trelleborgs Internationella Pianofestival”. Repertori i saj përfshin vepra pianistike të kompozitorëve të njohur Brahms, Bach, Liszt dhe Dutilleux.
‘‘Është festival pianistik me pianistë të ndryshëm dhe secili luan solo vepra pianistike. Unë, mes tjerash, do të luaj një prej veprave më të rëndësishme të Brahms, ‘Variacione dhe Fugë mbi një temë të Händel-it‘‘.
Ardita Statovci pasi më 1997 kreu studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku u pranua si 15-vjeçare, u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë. Menjëherë u pranua në universitetin me renome botërore “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë, ku diplomoi në vitin 2004, raporton koha.net.
Më 2007 mori titullin master në klasën koncertale të Christoph Lieskes. Më 2009 studioi me legjendarin Menahem Pressler në Inidiane University në Bloomington në ShBA. Në Itali ajo kompletoi studimet universitare në Imola Accademia Pianistica me Boris Petrushanskyn dhe Franco Scalan. Ka performuar në shumë vende në Evropë, ShBA e Azi
