Një delegacion ushtarak i Gardës Kombëtare të shtetit federal amerikan Vermont, i udhëhequr nga Komandanti i Përgjithshëm i GK, gjeneral major Steven Cray qëndroi për vizitë në ARM, raporton Anadolu Agency (AA).
Metodija Veliçkovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) tha se partneriteti 20 vjeçar dhe bashkëpunimi me GK të Vermont ka sjellë suksese të shumta për ushtrinë e Maqedonisë.
“Ne këtë vit shënojmë 20 vite partneritet me shtetin federal Vermont, vite në të cilat mund të lëvdohemi me shumë rezultate në trajnim, forma të ndryshme të bashkëpunimit, dhe e gjithë ajo u kurorëzua në vitin 2010 me pjesëmarrjen e përbashkët në njërën ndoshta misionin më të rrezikshëm Feniks në Afganistan ku e dëshmuan praktikisht miqësinë dhe bashkëpunimin mes Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe Gardës kombëtare të Vermontit”, deklaroi gjeneral kolonel Metodija Veliçkovski.
Ai theksoi se në takimin e sotëm është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit i cili është i frytshëm dhe produktiv.
“Besoj se kontinuiteti nga konferenca e cila ishte javën e kaluar në të cilën mori pjesë edhe gjenerali Cray, vizita e sotme do të rrumbullakohet edhe me vizitën e ministrit të Mbrojtjes të Maqedonisë dhe me vizitën time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku praktikisht do të kemi mundësi të determinojmë dhe të shqyrtojmë forma të ndryshme të cilat i potencuam në këtë vizitë”, tha Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ARM-së, Veliçkovski.
Gjeneral majori Steven Cray u shpreh se shteti Vermont dhe Maqedonia do të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen dhe do të punojnë krah për krah në shumë nivele.
“I gëzohem të ardhmes së partneritetit tonë në të cilin Vermont dhe Maqedonia do të vazhdojnë të punojnë krah për krah në nivele të ndryshme. Bashkë kemi shpërndarë forca, i kemi zhvilluar nënoficerët dhe oficerët tanë, bashkë kemi punuar në detyra gjatë zhvillimit të operacioneve si përgatitje për ballafaqim me katastrofa në teren vendor dhe çdo vit vazhdojmë të përparojmë”, deklaroi gjeneral majori Steven Cray.
Ai tha se ky partneritet i përhershëm i ndërtuar mbi shtyllën e miqësisë gjatë këtyre 20 viteve po përmirëson dhe avancon bashkëpunimin e ndërsjellë me stërvitje të suksesshme dhe operacione.
Garda Kombëtare e shtetit federal amerikan Vermont paraqet partneri i ARM-së me të cilën realizohen aktivitete për bashkëpunim me Armatën e SHBA-ve, të koordinuara përmes kontakt programit ushtarak, e cila është pjesë përbërëse e bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral ndërmjet dy ushtrive.
Ky program realizohet përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit dhe trajnimit, vizita në bazat ushtarake, qendrat shkollore dhe institucione në SHBA, si dhe realizimin e stërvitjeve të përbashkëta.
Kontakti ushtarak i programit dhe bashkëpunimi me GK të Vermontit, ARM-në në masë të madhe ia lehtëson arritjen e standardeve të NATO-s në më shumë sfera.
