Kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës dhe hetim ndërkombëtar për çështjen CEZ. Ai deklaroi në një konferencë për media se dyshja Rama- Meta po kërkon të mbyllë hetimet për CEZ-in, duke hequr dorë nga arbitrazhi me marrëveshje korruptive.
“Kushtet tona për një hetim të pavarur e të plotë përfshin në çdo rast dorëheqjen e Ilir Metës. Ilir Meta deklaroi dje se është në favor të hetimit ndërkombëtar. Do ta ketë shansin që të hënën të tregojë me veprime konkrete, mbështetjen dhe aprovimin e nismës sonë ligjore në Parlament, ose të demaskohet dhe kjo si një manovër për t’i shpëtuar hetimit. Një gjë është e qartë si drita e diellit, ne do t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund. Shqiptarë meritojnë kthimin e parave, nxjerrjen para drejtësisë të kumbarëve të krimit. Rama është ai që hoqi dorë në mënyrë kriminale nga arbitrazhi ku ishte dërguar CEZ nga qeveria paraardhëse, hoqi dorë me një marrëveshje korruptive të bërë pa konsulencën ligj ore të avokatëve të Shqipërisë që paguheshin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, hoqi dorë duke ndarë dhe falur CEZ 600 milionë euro, fatura të njohura, dhe afro 2 miliardë euro sipas avokatëve ndërkombëtarë, CEZ-i mund t’i faturojë Shqipërisë në fund të një procesi të suksesshëm arbitrazhi”,tha kreu i PD-së.
Të hënën opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të rrëzuar marrëveshjen e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it më 31 korrik 2014.
