Përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe udhëheqës të komunës së Ferizajt e kanë vënë sot gur themelin e një objekti për çerdhe të re në rrugën “Enver Topalli” .
Me këtë rast u bë e ditur se objekti do të bëhet i gatshëm në muajin nëntor dhe do të jetë mjaftueshëm për vendosjen e 250 fëmijëve. Investimi në mirë edukimin e gjeneratave të ardhshme u tha se duhet të jetë prioritet i secilit institucion.
“Është një ndër projektet më të rëndësishme në komunën e Ferizajt që destinohet për moshat e reja, me dëshirën më të mirë që nesër te gjitha ata fëmijë që vendosen në këtë çerdhe do të jenë qytetarë te Bashkimit Evropian”, tha kryetari Muharrem Sfarqa.
Shefi i zyrës ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Christof Stock tha se Bashkimi Evropian e ka parë shumë të rëndësishme investimin në projekte arsimore , ndërsa saktësoi se ky është objekti i 17-të që po financohet në Kosovë. Ai u zotua se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tutje. “Është me të vërtetë kënaqësi që ndodhem këtu për gur themelin e çerdhes. Fillimisht kemi pasur pak vështirësi për dizajnimin e saj, por tani i kemi tejkaluar dhe shpresojmë deri në nëntor ta përfundojmë punën. Të gjitha studimet ndërkombëtare kanë zbuluar se investimi ne edukimin e hershëm ka shumë rëndësi për zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit të fëmijëve dhe jemi te kënaqur që po kontribuojmë në këtë mënyrë . Kjo do të thotë shumë edhe për familjet e reja, prindërit mund të ndihen lirshëm ne punë derisa fëmija i tyre është i sigurt në çerdhe” është shprehur Stock.
Pas vënies së gur themelit për çerdhen e re, zyrtarët komunal dhe ata nga zyra e BE vizituan edhe hapësirat e çerdhes më të vjetër në qytet “Ardhmëria jonë” ku u njohën me kushtet e vështira infrastrukturore të këtij objekti. Me këtë rast u premtua se fëmijët dhe stafi i kësaj çerdheje do të kalojnë në objektin e ri posa të jetë gati. E ky lajm u mirëprit nga udhëheqja e çerdhes “Ardhmëria jonë”
Fëmijë të moshave të ndryshme që kanë qëndrim ditor në çerdhen “Ardhmëria jonë” së bashku me edukatoret e tyre në shenjë mirënjohje për çerdhen e re , shfaqën një program artistik dhe u dhanë dhurata modeste mysafirëve.
