Kuvendi i Komunës së Malishevës, dje në mbledhjen e rregullt të saj, e ka shpallur ish ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Christopher Hill, “Qytetar nderi” i Malishevës, me motivacionin “Personalitet i shquar i politikës dhe diplomacisë amerikane, që ka dhënë ndihmesë të pa kursyer për krijimin e shtetit të Republikës së Kosovës”.
Anëtarët e KK të Malishevës, unanimisht e kanë votuar këtë kërkesë, duke e cilësuar si një nderë i madh për Malishevën, duke pasur parasysh, kontributin e Hillit, para, gjatë dhe pas luftës, për Kosovën, por edhe lidhjen me Malishevën, thuhet në njoftimin për media.
Kuvendi i Komunës së Malishevës, në këtë mbledhje, ka marrë vendim edhe për ndarjen e çmimeve tradicionale që ndahen me rastin e 16 Qershorit, Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Malishevës, sipas nenit 9 të statutit të Komunës së Malishevës. Çmimi për Trimëri dhe Heroizëm “Imer Krasniqi”, këtë vit ju nda Isa Hoxhës dhe Skënder Hotit, pjesëtarë të ish UÇK-së, përkatësisht të brigadave 122 dhe 121. Çmimi për kontributin e dhënë shkollën shqipe “Hamdi Berisha”, ju nda Iliaz Zogajt dhe Mihrije Bytyçit. Dhe çmimi për kontributin e dhënë në shëndetësi “Dr.Shpëtim Robaj”, ju nda Selim Krasniqit dhe Afrim Krasniqit, njofton komuna e Malishevës. / 21MEDIA

