Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore u bë sot pranim-dorëzimi i dokumentacionit, dhe njoftimi i familjarëve të 21 të vrarëve nga Çikatova e Vjetër, të gjetur vitin e kaluar gjatë gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, raporton KP.
Haki Morina, i cili pranoi sot eshtrat e babës së tij, rrëfen se 16 vite më parë, ai me disa të afërm të tij, e kishin varrosur babën dhe axhën e tij të vrarë. Por pastaj paramilitarët serb, duke u munduar të fshijnë gjurmët e krimeve, i zhvarrosën ata, për t’i zhdukur pastaj dhe për t’ua humbur gjurmët për plot 15 vite.
Ai pothuajse kishte humbë shpresat që ndonjëherë do të gjente trupin e pajetë të babës së tij, raporton telegrafi.
Në mesin e 21 rasteve të kthyera nga Rudnica e Rashkës, ishte edhe Tahir Morina nga Çikatova e Vjetër. Kur u vra, ai ishte 48 vjeç. Pas vetes la gruan dhe djalin, që asokohe ishte 17 vjeçar.
