Sektori privat e në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vazhdojnë së përfituari nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA II).
Që nga 2007-ta e deri me tani për këtë sektor janë orientuar mbi 25 milion euro përderisa për pesë vitet në vijim shuma indikative e alokimit në këtë sektor pritet të jetë disa fish më e madhe se për vitet paraprake.
Këtë e ka konfirmuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, sipas të cilit ndërmarrësia është një prej sektorëve kyç për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit si dhe prioritet kryesor në kuadër të Dokumentit Planifikues Sektorial për Konkurueshmërinë, i cili shërben për programim të fondeve IPA për periudhën 2014-2020.
“Përveç mbështetjes së fuqishme të planifikuar përmes fondeve IPA, në sektorin e ndërmarrësisë do të ketë ndikim pozitiv edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit që pritet të nënshkruhet sivjet mes Kosovës dhe BE-së, e cila do t’i bëjë bizneset tona më konkurrente dhe njëkohësisht do të ndikoj në ofrimin e çmimeve m ë të lira dhe produktet e shërbimet më të mira për qytetarin”, ka thënë ai, për KosovaPress.
Çollaku po ashtu ka shpjeguar se deri më tani përmes fondeve nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit janë mbështetur shumë projekte që kanë ndikuar direkt në zhvillimin e bizneseve qoftë përmes rritjes së ndërmarrjeve ashtu edhe përmes përfitimeve nga konsulenca e ofruar për biznese.
Një prej projekteve që po zbatohet në këtë drejtim ka thënë se është ai për Mbështetjen e ndërmarrjeve mikro dhe të mesme që është bashkëfinancuar me 3 milion euro nga IPA dhe 1 milion euro nga Qeveria e Kosovës, e që do të përfundoj në vitin 2016.
“Përmes këtij projekti po kontribuohet në forcimin e ekonomisë lokale dhe zvogëlimin e deficitit tregtar në Kosovë duke përmirësuar kapacitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të rrisin prodhimin në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme në përputhje me standardet dhe prakt ikat evropiane”, ka shpjeguar Çollaku.
Fondet IPA që programohen nga Ministria e Integrimit Evropian, ka thënë se janë orientuar edhe në projekte të tjera që kanë të bëjnë me këtë sektorë e që ndër të tjera lidhen edhe me fuqizimin e kapaciteteve institucionale që në mënyrë efektive të kontribuojnë në sektorin e ndërmarrësisë.
