Pyetjet raciste dhe fyese, në testimin ekstern në shkollat e Maqedonisë, sipas drejtoreshës së Qendrës për provime, Mirushe Ahmeti, nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë, lajmëroi Alsat-M.
Tre muaj pas realizimit të këtij testimi , Ahmeti insiston se pyetjet me përmbajtje raciste dhe fyese janë nxjerrë nga kontesti, edhe pse në të njëjtën kohë pranon se ka nevojë për një rishqyrtim të pyetjeve.
“Gabime dhe ofendime në baza etnike në pyetjet e testimit ekstern nuk kishte. Qendra shtetërore e provimeve i hetoi pohimet dhe akuzat tuaja dhe nuk gjeti pyetje të tilla, shembujt ishin të nxjerrë nga konteksti. Në bashkëpunim me Byronë për zhvillimin e arsimit dhe Qendrën për arsim të mesëm profesional dhe trajnim, që në fakt janë edhe institucionet që i përgatisin pyetjet për vlerësimin ekstern, edhe një herë do të kontrollohet përmbajtja e pyetjeve”, ka shkruar Ahmeti në një prononcim me shkrim drejtuar televizionit.
Kujtojmë se në testimin e fundit ekstern shumë pyetje vinin në pozitë poshtëruese nxënësit shqiptarë ku ata viheshin në rolin e loparëve ose si n jerëz që jetojnë në male duke ruajtur bagëtinë, ndërsa nxënësit me emra maqedonas trajtohen si nxënës shembullor.
Në pyetje kishe edhe shembuj të tipi “nxënësit e rinj maqedonas zihen për çështje shkencore, nxënësit shqiptarë vjedhin ditarin e klasës”.
Testimi ka pasur edhe pyetje politike por edhe pyetje në maqedonisht e përgjigje në shqip.
Për gabimet në pyetjet e testimit ekstern kishte edhe shumë reagime nga nxënësit, profesorët dhe prindërit, por të njëjtat ishin hedhur poshtë si të pabaza.
