“Dita e shëndetit oral”, një aktivitet sensibilizues i përvitshëm, është mbajtur sot në Ferizaj, me ç’rast nxënësit e disa shkollave fillore të komunës, së bashku me mantelbardhët kanë performuar me qëllim të rritjes së kujdesit oral.
Me këtë rast është thënë se fushatat e këtij lloji janë të rëndësishme nga fakti se japin mesazhe kujdesi për nevojën e rritjes së nivelit të mirëmbajtjes së dhëmbëve jo vetëm nga nxënësit por nga të gjithë .Të pranishmit në këtë aktivitet i përshëndeti, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.
“Ne si komunë kemi arritur që shëndetësinë në përgjithësi ta ngremë në nivel më të lartë dhe të ketë shërbimet në dobi të qytetarëve, dhe mendoj që ky sensibilizim që po bëhet përmes këtyre aktiviteteve është tepër i rëndësishëm që duhet jo vetëm fëmijët që t’i kushtojnë rëndësi shëndetit të gojës, por edhe të rriturit”, ka thënë kryetari Svarqa.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe drejtori i QKMF-së, Asllan Bajrami, ku ka lavdëruar punën e mirë që po e bëjnë ekipi i stomatologjisë me ligjërata e tyre nëpër shkollë për rëndësinë e shëndetit oral.
Të gjithë ata që kontribuuan në “Javën e shëndetit oral” u nderuan me mirënjohje. U tha se ligjëratat e rregullta për nxënësit filloristë për ngritjen e nivelit për mirëmbajtjen e dhëmbëve do të vazhdojnë në shtator të këtij viti.
Ndryshe, ky aktivitet i organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj ka vazhduar edhe me një program të pasur kulturo-artistik që është mbajtur në sheshin e qytetit “Adem Jashari”.
