Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, e kryesuar nga kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila.
Në këtë mbledhje janë shqyrtuar shtatë pika të rendit të ditës që kishin të bënin me tema të ndryshme nga ato sociale, ekonomike dhe financiare.
Një theks i veçantë në këtë mbledhje ka qenë informata financiare nga drejtori Teki Shala për periudhën janar-qershor 2015 ku janë prezantuar të hyrat dhe shpenzimet e komunës për këtë periudhë, si dhe krahasimet me vitin paraprak.
Edhe për këtë gjashtëmujor komuna ka arritur të ulë shpenzimet komunale për mallra dhe shërbime, gjegjësisht shpenzimet e furnizimit të zyrës janë ulur në 56 përqind, karburantet për automjete janë ulur në 16.08 përqind, mirëmbajtja e automjeteve në 6 përqind dhe shpenzimet për dreka zyrtarë janë ulur në 14 përqind.
Më tutje në këtë mbledhje është formuar komisioni për të gjeturat e auditorit i cili do të asistojë në punën e Njësisë për Auditim të Brendshëm në Komunën e Gjakovës.
Ky komision do të kryesohet nga Kryetarja Mimoza Kusari Lila, Teki Shala – Drejtor i Drejtorisë për Financa, Gani Rama – Zyrtar Kryesor Financiar, Basri Komoni – Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ermeni – Drejtor i Bujqësisë si dhe përfaqësues nga administrata komunale.
Po ashtu, është miratuar kërkesa nga DSHMS për emërimin e komisionit për përzgjedhjen e individëve – familjeve në raste të rënda sociale, nga komuniteti RAE për ndërtimin e disa shtëpive nga projekti i Ministrisë Punës dhe Mirëqenies për vitin 2016.
