Autoritetet në Arabinë Saudite kanë ngritur masat e sigurisë, disa ditë para fillimit të pelegrinazhit vjetor të haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës, ku pritet të tubohen me miliona besimtarë myslimanë nga e gjithë bota.
Me miliona myslimanë do të shkojnë gjatë ditëve në vijim në Mekë, në kuadër të pelegrinazhit vjetor të haxhit, në vendin ku ka lindur islami.
Meka në Arabinë Saudite është qytet i shenjtë për myslimanët, në të cilin ka lindur Profeti Muhamed. Jo-myslimanëve ju ndalohet hyrja në Mekë, e këtë vit në qytet nuk mund të hyjnë as myslimanët pa dokumentacion të vlefshëm, për shkak të masave të shtuara të sigurisë nga ana e autoriteteve saudite.
Sfidat për sigurinë në qytet janë të shumta, duke filluar nga pelegrinët shiitë, të cilët në vitet e 80-ta kanë zhvilluar përleshje të përgjakshme me policinë saudite, e deri te organizata Shteti Islamik, e cila tashmë ka ndërmarrë disa sulme në mbretëri.
Në prag të haxhit, forcat e armatosura të vendit zhvilluan një paradë ushtarake në Mekë.
Arabia Saudite është një prej blerësve më të mëdhenj të armatimit në botë. Paratë po investohen në blerjen e pajisjeve për kontroll të masës./ 21 Media









