Human Rights Watch: Shtetet ballkanike nuk i mbrojnë gazetarët

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Një raport prej 69 faqesh, “Një profesion i vështirë: Liria e medieve nën sulm”, i publikuar të mërkurën nga organizata e bazuar në New York, Human Rights Watch, dokumenton sulmet fizike dhe kërcënimet, që përfshijnë kërcënime me vdekje, padi ndëshkuese, dhe fushata kundër gazetarëve në Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.
Hulumtuesja nga Human Rights Watch, Lydia Gall, tha që raporti është i bazuar në intervista me 86 gazetarë, shumica e të cilëve raportojnë në çështje të ndjeshme si krimet e luftës dhe korrupsioni.
Gjetja kryesore e këtij raporti është se gazetarët punojnë në një ambient armiqësor që ndikon direkt në aftësinë e tyre për të bërë raportime kritike dhe të pavarura, që janë thelbësore në një shoqëri demokratike. Këto katër vende në raport nuk po hetojnë apo hulumtojnë sulmet ndaj gazetarëve.
Gall thotë që janë katër çështje kryesore për shqetësim të dokumentuara në raport që kontribuojnë ndaj një ambienti armiqësor të medieve.
“Autoritetet shtetërore nuk po bëjnë punën e tyre për hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur dhe po ndodhin ndërkohë që ne po flasim”, tha Gall për BIRN.
“E dyta, është një çështje problematike e ndërhyrjes politike në nivel të lartë. Fakti që ju keni gazetarë që pranojnë thirrje nga zyrtarë të qeverisë lokale ose nga kryeministrat është një nga faktorët që kontribuojnë në një ambient armiqësor”, shtoi ajo.
“Gjithashtu, kemi media pro-qeveritare në Serbi, por edhe ne tre vendet e tjera të përfaqësuara në raport, që bashkëpunojnë në kampanja kundër gazetarëve që janë kritik… që gjithashtu ka një ndikim në krijimin e ambientit armiqësor”, theksoi Gall.
Më tutje, sipas Gall, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, zyrtarë të lartë, duke përfshirë kryeministrin e Malit të Zi Milo Dukanovic dhe Presidenti i Republikës Srpska në Bosnjë, Milorad Dodik, po padisin gazetarë dhe rrjete mediesh për shpifje.
Human Rights Watch thotë që këto padi duken si një përpjekje për të ndëshkuar financiarisht rrjetet e medieve kritike dhe për ti mbajtur gazetarët në gjykatë në vend që ti lënë të bëjnë punën e tyre.
Gjithashtu, Gall tha, gazetarët ballafaqohen me probleme të tjera si paga të ulëta dhe organizim të dobët. Në shumë raste ata kanë mungesë të kontratave të rregullta, që i lë ata në pozitë të lëndueshme.
Në përgjithësi, Human Rights Watch dokumentoi më shumë se 100 raste në katër vendet ku gazetarët janë ballafaquar me kërcënime të ndryshme dhe presion për punën e tyre. Në shumicën e këtyre rasteve, gazetarët nuk panë ndonjë arritje në hetimet nga policia apo nga gjykimet.
“Sistemi i drejtësisë në Ballkan është i dobët dhe joefikas, dhe me raste ka mbetje prapa, çka ndikon jo vetëm tek gazetarët por tek të gjithë”, tha Gall.
Ajo thotë që përgjegjësia kryesore për këtë është tek autoritetet që duhet të promovojnë lirinë e medieve në vend që ta rrezikojnë atë.
“Kjo është një nga problemet kryesore – ti duhet të kesh liderë politikë që dalin dhe e promovojnë aktivisht lirinë e medieve dhe që kuptojnë përse është e rëndësishme për shoqërinë në tërësi”, tha Gall.
“Nuk ndihmon kur [Kryeministri] Vuciq del dhe i përshkruan disa rrjete mediash si armiq të vendit. Kjo dukshëm nuk është mënyra e duhur”, shtoi Gall, duke theksuar që “është përgjegjësia e liderëve politikë të përmirësojnë ambientin për punë të gazetarëve”.
Raporti gjithashtu thekson që gratë gazetare janë objekt të sharjeve seksualisht eksplicite dhe ofenduese. Një gazetë pro-qeveritare në Mal të Zi iu referua një gazetareje si “prostitutë”, për shembull.
Human Rights Watch dokumentoi raste ku emisione televizive në Serbi nuk kishin zgjidhje tjetër pos të ndalonin shfaqjen në TV për shkak të presionit nga elitat politike.
Në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërhyrja politike gjithashtu përfshin kontrolle financiare dhe administrative të rrjeteve të medieve në lidhje me raportime kritike.
Gall argumenton që të gjitha këto çështje duhet të adresohen jo vetëm nga autoritetet por edhe nga Bashkimi Evropian, sepse të gjitha shtetet e përmendura në raport janë në procesin e negocimit me BE për anëtarësim.
“BE ka një rol të rëndësishëm këtu dhe duhet të shtyjë për ndryshim pozitiv”, tha ajo.
“Liria e medieve është gurthemeli i zhvillimit demokratik dhe BE duhet të fokusohet në të, gjithashtu me zbatimin e ligjit dhe çështje të tjera të të drejtave të njeriut që janë problematike në këtë rajon”, shtoi Gall.
“Është një tendencë të fokusohen shumë në zhvillimin politik. Beogradi dhe Prishtina që flasin me njëra tjetrën, për shembull, i mbulon të gjitha problemet tjera me të drejta që ekzistojnë në këto katër vende dhe në pjesën tjetër në Ballkan”, përfundoi ajo.