Në rajonin më të zhvilluar të Spanjës, Kataloni, sot po zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin rajonal, të cilat po konsiderohen edhe si referendum për atë se a do të votojnë katalonasit për pavarësi, apo për mbetje në kuadër të Spanjës.
Katalonasit po votojnë sot në kuadër të zgjedhjeve për Parlamentin rajonal, në të cilat partitë nacionaliste po shpresojnë se do të sigurojnë mandatin për të nisur procesin e pavarësimit nga Spanja.
Dy parti separatiste të Katalonisë kanë bashkuar forcat, me synimin që të sigurojnë shumicën në Parlament, respektivisht 68 nga 135 ulëset. Këto parti theksojnë se kjo do të ju jepte atyre të drejtën që të shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë brenda 18 muajve. Qeveria qendrore në Madrid ka paralajmëruar hapa gjyqësor për të bllokuar këto procese.
Hulumtimet kanë dëshmuar se pjesa më e madhe e katalonasve mbështesin organizimin e referendumit për pavarësi, por janë të përçarë në lidhje me atë se a duhet të mbetet Katalonia pjesë e Spanjës, apo duhet të pavarësohet.
Vendvotimet janë hapur në orën nëntë të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20.
Partia Konvergensia, e Presidentit të Katalonisë, Artur Mas dhe partia tjetër, Eskera Republikana, kanë formuar listën e përbashkët më emrin “Së bashku për po”. Këto dy parti kanë deklaruar se zgjedhjet e sotme janë një de fakto referendum për pavarësi.
Qeveria në Madrid, e kryesuar nga kryeministri Mariano Rahoj, planet e Katalonisë për shkëputje i ka cilësuar si gjepura.
Nëse lëvizja “Së bashku për po” nuk siguron shumicën në parlament pas zgjedhjeve të sotme, atëherë do të ishte kjo një humbje e madhe për lëvizjen për pavarësinë e Katalonisë./ 21 Media
