Kosova nuk përfshihet në “alarmin e kuq” meteorologjik

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ndonëse për vendet e rajonit është përhapur “alarm i “kuq për temperaturat e larta, Kosova nuk përfshihet këtu. Temperaturat në Kosovë, të tilla siç janë edhe tash e sa kohë, nuk paraqesin gjendje shqetësuese, sepse janë temperatura normale për ditët e verës.
Drejtori i Institutit Meteorologjik të Kosovës, Syl Tahirsylaj, tha se është e vërtetë se vendet e rajonit po vuajnë nga temperaturat shumë të larta, por këto temperatura nuk janë alarmante edhe për Kosovën.
Sipas tij, gjatë javës së ardhshme temperatura minimale do të jetë 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalja 37. Tahirsylaj pohon se këto temperatura nuk janë shqetësuese për ditët verore.
Ndërkohë, mediat e rajonit informojnë se në pjesën më të madhe të Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi sot është në fuqi i ashtuquajturi meteo-alarm “i kuq”, që do të thotë se pjesa më e madhe e territorit të këtyre shteteve ditët në vijim do të përfshihet nga një valë shumë e nxehtë.
Enti hidrometeorologjik i Malit të Zi paralajmëroi për sot meteo-alarmin e kuq, i cili, siç qëndrojnë punët momentalisht,do të mbetet në fuqi deri të enjten.
Mjekët në Mal të Zi tërheqin vërejtjen se temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin psiko-fizik të njerëzve më të moshuar, të sëmurëve, por edhe të rinjve dhe të shëndoshëve, ndërsa qytetarët më së shpeshti ankohen për pagjumësi. Në Podgoricë sot në orën 12 janë matur 38,2 gradë Celsius.
Në Mal të Zi, si dhe në Bosnje E Hercegovinë, alarmi i kuq do të mbetet në fuqi të paktën edhe tri ditët e ardhshme, kur temperaturat do të jenë më të lartat deri tani sivjet.