Drejtuesit e Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare dhe Rilindjen Demokratike Kombëtare, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi zyrtarizuan sot koalicionin të cilin e quajtën Alanca për Shqiptarët.
Koalicioni parashikon që dy forcat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni, të garojnë me lista të përbashkëta dhe rreth një Platforme të përbashkët, nga e cila do të dalin kërkesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.
Sela dhe Memedi u zotuan po ashtu se nëse marrin legjitimitetin nga populli shqiptar në zgjedhje të drejta dhe demokratike, nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie nëse nuk pranohen kushtet e tyre për ndryshimet kushtetuese. Sela tha se platforma është në përpilim e sipër ndërsa shpalosi vetëm disa nga pikat bazë.
“Maqedonia të shpallet shtet bi-nacional në të cilin në mënyrë të barabartë do të respektohet gjuha shqipe edhe maqedonishtja, ndarja e buxhetit, jo të drejtë siç thonë disa liderë politikë, sepse kjo fer do të varej nga dëshira e mirë ose e keqe e një kryeministri të ardhshëm për ta ndarë fer buxhetin, por ndarja e buxhet it e rregulluar me ligj me prerje lokale që është konform politikave moderne për një decentralizim të mirëfilltë të pushtetit. Kjo nënkupton që përqindja më e madhe e TVSH, e akcizave që paguajnë qytetarët në Tetovë të ngelin në Tetovë. Dhe kuptohet shteti bi-nacional imponon edhe nevojën e sjelljes së vendimeve tërësisht konsensuale”, tha Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjës për Reforma në PDSH.
Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, tha se kjo aleancë do të jetë e hapur për të gjithë intelektualët, organizatat joqeveritare dhe subjekte të tjera politike, pikëpamjet e të cilëve përputhen me platformën e tyre.
“Sot edhe një herë e dëshmojmë publikisht në prezencën e kësaj mase të mediave në përgjithësi që oferta është e hapur për të gjitha subjektet e ndryshme opozitare shqiptare që të bashkohemi, të jemi bashkë për eliminimin e kësaj të keqe që e ka kapluar vendin në përgjithësi”, tha Vesel Memedi, kryet ar i RDK-së.
Duke komentuar krizën politike, dy drejtuesit vlerësuan se zgjidhja do të gjendej shumë lehtë nëse Ali Ahmeti dhe Mendu Thaçi nuk do e mbështesin akoma më tej Gruevskin dhe qeverinë e tij.
Sela dhe Memedi nesër do të udhëtojnë drejt SHBA-ve ku pritet të koordinojnë veprimet e tyre politike edhe me lobistët shqiptaro-amerikanë./Alsat-M/
