Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është shpallur të martën mbrëma Qytetar Nderi i Mitrovicës.
Ky vendim është marrë unanimisht nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës për kontributin që Lulzim Basha ka dhënë për shqiptarët e Kosovës që nga periudha e Luftës së UÇK-së, gjatë kohës kur ai ishte staf i Misionit të Administrimit të OKB-së në Kosovë, përfshirë edhe kontributin që ka dhënë qyteti i Tiranës në rindërtimin dhe kthimin e shqiptarëve në pjesën matanë Ibrit, duke akorduar 100 mijë dollarë për aksionin “Ndihmo edhe Ti”.
Për jetën dhe veprën e Lulzim Bashës, gjatë kësaj ceremonie dhe para shumë të pranishëmve, u shfaq edhe një dokumentar.
Në fjalën e tij të rastit në këtë ceremoni, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se qytetarët e Mitrovicës janë të nderuar me prezencën e kryebashkiakut të Tiranës sot në Mitrovicë.“Ata ju falënderojnë nga zemra që në çastet më të rënda të historisë sonë ndihmuat të mbeten gjallë shpresat për jetë, liri dhe pavarësi… Ata në çastet më të vështira gjetën mbështetje dhe besim tek vëllezërit shqiptarë të cilët hapën dyert dhe zemrat e shtëpive të tyre për të ndihmuar vëllezërit e tyre kur ishin më së ngushti”, theksoi Bahtiri.
Ndërkaq, vetë laureati i këtij titulli, ka falënderuar drejtuesit e komunës së Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët mitrovicas për këtë nder.
Ai tha se tërë jetën është angazhuar në të mirë të vendit dhe popullit të tij, ndërsa nderi i bërë nga Mitrovica e ka bërë borxhli ndaj qytetarëve të këtij qyteti të bukur.“Ribashkimi me ju në Mitrovicë më bën të ndihem shumë fatlum. Unë jam rritur në një familje si shumë të tilla në Shqipëri, ku fjala Kosovë ka qenë po aq e pranishme sa fjala bukë dhe ujë. Gjithçka që ka ndodhur në këtë truall, gjithçka që ndodhte në mënyrë të përditshme, të përjavshme, me de kada, gjenocidi, persekutimet, vrasjet, shtypjet, kanë qenë pjesë e vazhdueshme e dhimbjes, bisedave, lotëve në shtëpinë tonë. Ndaj, e quaj veten me fat, e kam thënë dhe e përsëris gjithmonë se i falem Zotit për mundësinë që më ka dhënë për të bërë edhe unë atë që më takonte, si nip i Kosovës, si bir i prindërve të Kosovës, e të kontribuoj sado pak. Ka qenë dhe është detyrë e imja, është fati dhe privilegji të cilin uroj ta kem, sepse me gjithçka me të cilat zoti më ka mundësuar, të jem e të bëj detyrën time karshi Kosovës. Prapë shpresoj dhe besoj se me ndihmën e Zotit punët më të mëdha i kam përpara”, tha Basha.
Në maj të vitit të kaluar kreu i opozitës në Shqipëri Lulzim Basha u shpall Qytetar Nderi i Prishtinës, ndërsa tri ditë më parë këtë titull ia dha edhe qyteti i Deçanit./kp
