Falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF), në Podujevë do të qëndrojë 30 ditë mamografi mobil për diagnostifikim të hershëm të kancerit të gjirit.
Të gjitha femrat e moshës 40-70 vjeçare në komunën e Podujevës do të kenë mundësinë që të kryejnë testet për diagnostifikim të hershëm të kancerit të gjirit.
Kjo mundësi atyre iu është ofruar falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë të cilat kanë mundësuar që nga e hëna, 20 korrik 2015, për një muaj të qëndrojë në Podujevë mamografi mobil.
Pjesë e ekipit mjekësor në këtë aktivitet është edhe Dr. Ilaz Bunjaku – radiolog, i cili do të përkujdeset për interpretimin e rezultateve për të gjitha gratë të cilat do t’i nënshtrohen testit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF – në Podujevë, Afrim Shabani e vlerësoi të rëndësishëm këtë shërbim që po ofrohet dhe ftoi të gjitha gratë e interesuara të lajmërohen dhe t’i nënshtrohen testit.
“ I ftojmë të gjitha gratë e interesuara të lajmërohen për t’u regjistruar. Pastaj në mënyrë të organizuar testit do t’u nënshtrohen nga 15 gra në ditë”, tha drejtori Shabani
Mamografi mobil në QKMF Podujevë do të qëndrojë deri më datë 20 gusht, ndërsa të gjitha shërbimet ofrohen falas.
