Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka shkarkuar gjashtë drejtorë, Ajmane Barani, drejtoreshë e drejtorisë për Arsim, Mensur Beqiri, drejtor për Mirëqenie Sociale, Besim Beka, drejtor për Kadastër, Enver Uka, drejtor për Mbrojtje të Mjedisit, Naxharije Pllana, drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Ardian Kavaja, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport.
Nga këta gjashtë drejtorë, tre prej tyre janë të LDK-së, dy të AKS-së, dhe një i AAK-së.
Bahtiri, gjatë një konference të jashtëzakonshme me gazetarë të mbajtur sot në Mitrovicë, tha se kohët e fundit ka qenë i shqetësuar me performancën e dobët të këtyre drejtorëve, ndërsa ka kërkuar nga partneri i koalicionit LDK, që të miratojë këtë vendim dhe t’ia dërgojë emrat e njerëzve më profesionistë.
Kosovapress-i kishte raportuar dje për dorëheqjen e drejtorit për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti, dhe se në vend të tij sot është emëruar Besnik Beka, drejtor i deritashëm i drejtorisë për Prokurim.
Ndryshe, sot gjatë seancës së rregullt të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, është shtyrë miratimi i buxhetit për vitin 2016, pasi asamblistët opozitarë kërkuan shtyrjen e kësaj pike për javën e ardhme,me ç’rast ka nxitur kryetarin B ahtiri t’ju thotë asamblistëve të PDK-së se ‘nuk do të bëjë koalicion kurrë me ta’.
“Kam pasur një shqetësim në lidhje me drejtorët të cilët kanë qenë në koalicion dhe të cilët i falënderoj për punën që kanë bërë. Por unë mendoj se ata duhet të ndërrohen për arsye se LDK-ja ka njerëz shumë më të devotshëm, më të qëndrueshëm, njerëz të cilët i çojnë proceset shumë më përpara, dhe unë kam marr vendim t’i ndërroj disa drejtorë si nga LDK-ja ashtu edhe nga AKR-ja, e këta janë, drejtoresha e Arsimit Ajmane Barani, drejtoresha e Shëndetësisë Naxharije Pllana, Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis Enver Uka, Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi, Besim Beka dhe Drejtoria për Integrim dhe Mirëqenie Sociale Mensur Beqiri. Kërkoj nga partia në koalicion që të miratojë këtë vendim timin dhe t’i dërgojë njerëzit e devotshëm, të cilët kanë një performansë shumë më të mirë, që të qeverisim së bashku… Asnjëherë nuk kam thënë se do të bëjë koalicion me PDK-në, kam thënë nga Brukseli se do ta shqyrtojë koalicionin me LDK-në, dhe kjo është ajo që e kam thënë për reformimin e qeverisjes time për arsye se qytetarët presin shumë më shumë sesa deri tani dhe për këtë çështje kam dashur që njëherë e përgjithmonë të sjellë njerëz të devotshëm”, ka thënë Bahtiri.
