Murati viziton fëmijët e diasporës në kampin veror në Artanë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kampi i parë për këtë vit, tashmë tradicional, për fëmijët nga diaspora i cili organizohet nga Ministria e Diasporës, është duke u mbajtur në Komunën e Artanës ku po marrin pjesë rreth 35 nxënës dhe 5 mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Nxënësit nga Gjermania, Anglia, Suedia dhe Greqia, si dhe disa nxënës nga Kosova, i ka vizituar të shtunën Ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili u njoftua me aktivitetet e fëmijëve në kampin i cili ka filluar të premten.
“Është kënaqësi t’ju shoh të gjithë juve në atdheun e juaj. Po ashtu jam i impresionuar edhe nga aktivitetet të cilat jeni duke i realizuar, të kombinuara me mësim nga lëndë të ndryshme si gjeografia, historia dhe lojëra me anë të së cilave e njihni më mirë njëri tjetrin. Ju jeni e ardhmja e kombit”, tha Murati, duke diskutuar më pas edhe me mësuesit e pranishëm lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë për unifikimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe si dhe përpjekjet e Ministrisë së Diasporës për rritjen sa më të madhe të numrit të nxënësve në shkollën shqipe në diasporë.
Mësuesit dhe fëmijët po ashtu falënderuan ministrin për vizitën si dhe për të gjitha përpjekjet e Ministrisë që t’i mbajë bashkatdhetarët më afër atdheut, gjuhës, kulturës dhe historisë së kombit.
Kampet shkolla, me moton “Ta njohim atdheun”, organizohen tradicionalisht tashmë tre vjet nga Ministria e Diasporës, në katër grupe të ndryshme gjatë stinës së verës dhe asaj të dimrit.
Gjatë aktiviteteve që realizohen në kamp, fëmijët kanë mundësi të njohin për së afërmi trashëgiminë kulturore të Kosovës, të ndjekin klasa të mësimit të gjuhës shqipe, gjeografisë, historisë si dhe të jenë afër traditës kombëtare. Në të ardhmen këto kampe planifikohen të organizohen në bashkëpunim edhe me Qeverinë e Shqipërisë.