Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka shkruar disa fjalë në profilin e tij në rrjetin social facebook rreth krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe heqjen nga rendi i ditës së pikave për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të kësaj Force.
Mustafa ka shkruar se “Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është një proces shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për stabilitetin e përgjithshëm. Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjik, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofroj siguri në Kosovë dhe rajon dhe të marr pjesë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit tonë”.
Mustafa shkruan se transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës do ta bëjnë duke argumentuar se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo duke adresuar kundërshtarë të të këtij transformimi.
“Qeveria nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim, por ajo vlerëson se duhet të punojmë me tërë spektrin politik kosovar dhe me deputetët e subjekteve që përfaqësojnë popullatën joshumicë për të siguruar përkrahjen e tyre , ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës bëhet duke rikthyer dhe duke ndërtuar besimin reciprok”, shkruan Mustafa në Facebook.
