Në Hungari filloi ndërtimi i rrethojës në brezin kufitar me Serbinë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ushtria hungareze ka filluar sot ndërtimin e rrethojës në brezin kufitar me Serbinë, me qëllim që të ndalë valën e imigrantëve ilegal që po hyjnë në vend.
Punimet e para kanë filluar në afërsi të qytetit Morahaloma, ku ushtria me makineri të rëndë po përgatit terrenin për vendosjen e pjesës së parë të rrethojës me lartësi katër metra.
Siç raportuan mediet shtetërore në Hungari, rrethoja fillimisht do të vendoset në 8 deri në 10 kalime kufitare, të cilat po përballën me numrin më të madh të imigrantëve.
Përndryshe, hulumtimi i bërë nga një agjenci hungareze dëshmoi se pjesa më e madhe e hungarezëve nuk besojnë se ngritja e rrethojës kundërthënëse do të zgjidhë krizën e imigrantëve.
Anketa dëshmoi se shoqëria hungareze është e ndarë në ata që e kundërshtojnë imigracionin dhe në ata që janë të mendimit se solidariteti me njerëzit në nevojë është më i rëndësishëm.
44 për qind e të anketuarve deklaruan se imigracioni është një problem për Hungarinë, një rritje mjaft e madhe nga 23 për qind, sa ishte në maj të vitit të kaluar.
Përkundër kësaj, 67 e të anketuarve thanë se nuk pajtohen më ndërtimin e rrethojës në brezin kufitar me Serbinë, duke theksuar se rrethoja nuk është një zgjidhje adekuate. Siç është paralajmëruar në qershor, Hungaria për shkak të valës së imigrantëve në brezin kufitar me Serbinë do të ndërtojë rrethojën me lartësi 4 metra, në një gjatësi prej 175 kilometra./21Media