Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të enjten Komunën e Vitisë, ku u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe me Qeverinë komunale.
Kryeministri Mustafa, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministrat Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Imet Rrahmani dhe zëvendësministri Bajram Gecaj, së bashku me kryetarin e Vitisë përuruan edhe Emergjencën e re në këtë Komunë si dhe vizituan Fabrikën VINEX.
Gjatë përurimit të Emergjencës së re në Viti, kryeministri Isa Mustafa, uroi të pranishmit e shumtë në këtë ceremoni, për këtë objekt tepër të rëndësishëm.
“Objektet e shëndetësisë janë ato të cilat meritojnë kujdes të veçantë, siç meriton shëndetësia në përgjithësi. Një popull i shëndoshë është një popull më perspektivë ekonomike, me perspektivë kulturore, me perspektivë sociale dhe do të bëjmë çdo gjë që qytetarëve tanë t’ju ofrojmë shëndet të mirë, t’ju ofrojmë kushte të mira të trajtimit shëndetësor dhe ndërhyrje të shpejta emergjente që do të jetë roli i kësaj qendre këtu. Andaj, uroj të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin dhe në sigurimin e këtij objekti por poashtu ju uroj edhe juve që do të punoni këtu dhe që do ta mirëmbani mirë dhe që do t’i shërbeni mirë qytetarët e Vitisë dhe qytetarët e tjerë”, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë ceremonisë.
