Kryeministri grek, Alexis Tsipras, që përpiqet të shpëtojë vendin nga dalja nga eurozona, nuk ha dhe nuk fle më, thotë e shqetësuar nëna e tij, Aristia në një intervistë të publikuar sot.
“Kohët e fundit Alexis nuk ha më dhe nuk fle më, por nuk ka zgjidhje. Ai ka një borxh kundrejt popullit që i besoi”, tregon Aristi Tsipras, 73 vjeçe, për të përjavshmen “Parapolitika”.
“E shikoj shumë rrallë. Ai lëviz nga aeroporti në parlament. Ai nuk ka më kohë as që të shohë fëmijët e tij, si mund të vijë të më shohë mua?”, thotë nëna e kryeministrit Tsipras.
“Tani që ne po flasim, i them që të bëjë maksimumin për vendin dhe të kujdeset për veten. Ai më thotë që të mos shqetësohem, se gjithçka do të kalojë”, thotë ajo.
Kryeministri i ri, 40 vjeç, po kalon disa javë shumë lodhëse, ku është përballur me mosbesimin ndaj Greqisë të disa partnerëve evropianë nga njëra anë dhe me një përçarje brenda partisë së tij, SYRIZA.
Disa foto e tregojnë të lodhur, duke mbajtur ballin me dorë, në tavolinën e parlamentit ku u miratuan të enjt en një seri reformash të rënda, të kritikuara nga një pjesë e SYRIZA-s, por të kërkuara nga kreditorët para se të japin një ndihmë të re financiare për Greqinë.
