Deputetët e partive opozitare e kanë bllokuar përsëri raportimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Ata në vazhdim të seancës plenare, e cila u ndërpre pasi ata e sulmuan me vezë kryeministrin Mustafa, nuk kanë lejuar përsëri atë të raportojë.
Ata kanë thënë se nuk mund dikush ta quaj vetën kryeministër e ta mbrojë “Zajednicën”.
Kryeparlamentari ka kërkuar 15 minuta pauzë, duke i ftuar shefat e grupeve parlamentare në mbledhje.
Rikujtojmë se në pjesën e parë të seancës kryeministri Mustafa ka ndërprerë fjalimin gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, pasi deputetë të partive opozitare e kanë gjuajtur me ve.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, i gjetur në një situatë pa rrugëdalje pasi sigurimi kishte hyrë në sallë, të cilit duke e marrë në mbrojtje kryeministrin e kanë larguar nga salla, ka dhënë pauzë 10 minuta.
Pengesa e parë nga opozita ishte zhurma e krijuar pasi deputetët opozitarë filluan të flasin, e më pas edhe të hedhin ve në drejtim të kryeministrit Mustafa.
Gjuajtja me vezë e kryeministrit Isa Mustafa filloi kur ai gjatë fjalës së tij tha se marrëveshjet me Serbinë dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
