​Prej pasluftës 81 vetëvrasje në Ferizaj

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Prej pas luftës në rajonin e Ferizajt janë shënuar 81 raste të vetëvrasjeve dhe 356 raste të tentim vetëvrasjeve,është thënë të enjten në tryezën e organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, e ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve tjera relevante por edhe njohës të kësaj problematike.
Me këtë rast është thënë se shifrat flasin për një dukuri që ka marrë përmasa shqetësuese në shoqëri, roli i së cilës është i pakontestueshëm në parandalimin e tyre.
Fillimisht drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Ferizajt, Gazmend Hoxha, në cilësinë e nikoqirit të këtij takimi ka thënë se bazuar në statistikat që disponon policia, këto raste janë shpeshtuar jo vetëm në regjionin e Ferizajt por edhe në nivel vendi.
Hoxha, ka shtuar se ky fenomen para luftë nuk ka qenë aq shumë i theksuar dhe shqetësues se sa është tash.
Edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, lidhur me këtë problematikë ka vlerësuar se kështu po hapet një debat i rëndësishëm me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie e cila për fat të keq ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë.
Bazuar në statistikat e prezantuara nga zv/drejtori i DRP-së të Ferizajt, Basri Shabani, ka dalë se në rajonin e Ferizajt vetëvrasje më së shumti ka pasur gjatë vitit 2012, ku janë shënuar 12 raste të tilla, ndërsa sipas gjinisë nga numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve, 59 raste i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 14 raste gjinisë femërore.
“Te rastet e tentim vetëvrasjeve kjo statistikë do të ndryshoj, do të thotë është e kundërta e të parës, ku ka rritje të dukshme të këtyre rasteve nga gjinia femërore”, ka thënë Shabani.