Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidentit të Turqisë z. Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e sulmit të sotëm terrorist në qytezën Suruç, në afërsi të kufirit me Sirinë, në të cilin humbën jetën së paku 28 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.
Në Telegram thuhet:
Shkëlqesia juaj, me pikëllim të thellë dhe dhimbje morëm lajmin për sulmin e tmerrshëm terrorist që ndodhi sot në qytezën Suruç të prefekturës Shanllëurfa, në afërsi të kufirit me Sirinë, në të cilin humbën jetën së paku 28 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë. Në këto momente të vështira të zisë, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Turqisë
Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit është e përbashkët dhe përballja me këto fenomene do të jetë e rëndë por vendimtare për të ardhmen dhe përparimin e qytetareve tanë. Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit është lufta jonë e përbashkët për të forcuar themelet e sigurisë globale dhe për të ruajtur stabilitetin në botë. Sot jemi me popullin turk, në dhimbjen e tij në këto çaste të renda kur ka humbur dhjetëra të rinj, qytetarë të Turqisë dhe sigurojmë se do të jemi përkrah tij dhe botes demokratike në ruajtjen e vlerave të përbashkëta njerëzore dhe të sigurisë në përgjithësi.
Në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe për popullin turk.
