Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës, nuk ka arritur që të miratojë asnjë vendimi për dhënien në shfrytëzim të tokave komunale. Nga rendi i ditës u hoqën nga diskutimi propozimvendimet për miratimin-lënien në dispozicion për diskutim publik të Planit rregullues të lagjes “Kalabria”, për fillimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit rregullues të lagjes “Mati 1” dhe për dhënien e pëlqimit për ndryshime në infrastrukturë në një pjesë të Planit rregullues të lagjes “Lakërishta” në Prishtinë.
Kjo u bë pasi që në mbledhje nuk ishin të pranishëm drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Liburn Aliu dhe kryetari i Komunës Shpend Ahmeti.
Pikat që ngjallën debat ishin ato për dhënien në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër të pronave komunale në zonën kadastrale në fshatin Barilevë dhe ish-konvikteve të shkollës “Gjin Gazuli”. Opozita mospërkrahjen e këtyre vendimeve e ka arsyetuar me mosrealizimin e debateve publike dhe me atë se banorët e atyre zonave janë anashkaluar nga komuna.
