Qytetarët e Prishtinës, nga dita e sotme do të kenë mundësi që vetë të pajisen me ekstraktin e lindjes. Ky lloj vetëshërbimi digjital do të ofrojë shërbime 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
I gjithë ky projekt është realizuar me 14 mijë e 200 euro. Si fillim, siç edhe shpjegoi vetë kryetari i komunës do të lëshohen vetëm ekstrakti i lindjes e më vonë do të mundësohet edhe nxjerrja e certifikatave tjera.
I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se ka kënaqësinë që në “Ditën e Çlirimit të Prishtinës”, të fillojnë me një shërbim të ri.“Ky shërbim sot do të jetë në dispozicion 24 orë ne ditë, shtatë ditë ne javë. Pra qytetarët edhe në mbrëmje me ardhë ne 10 të mbrëmjes nëqoftëse janë të regjistruar në regjistrin civil, dhe kanë marr ndonjëherë ekstrakt me një proces tepër të thjesht me letërnjoftimin e tyre mund ta shtypin eks traktin e lindjes, certifikatën e lindjes por edhe certifikatat e tjera”, tha Ahmeti.
Nga shërbimi digjital që po starton sot si pilot projekt, qytetarët do të mund ta provojnë e në ditët e ardhshme, sipas kryetarit Ahmeti, ky shërbim do të përmirsohet.
“Pagesa është e njëjtë një euro edhe po ashtu në këtë shërbim kemi mundësuar edhe dy portale të tjera te cilat mundësojnë shtypjen e çfarë do formulari që ju nevojitet qytetareve për shërbimet e komunës se Prishtinës. Së bashku do ta demonstrojmë si funksionon kjo këtë merreni si demonstrim sepse ditëve në vijim do te përmirësohet edhe me tutje, është hera e parë që po bëhet, është softuer i ri, është makine e re dhe ky është pilot projekt”, tha ai.
Nëse ky pilot projekt do të funksionojë mirë, Ahmeti thotë se projekti do të zgjerohet edhe në pjesët e tjera të qytetit me shërbimet e ofiqarise.
