Ekspertët e Centers for Disease Control and Prevention (CDC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë me dije se arsyeja pse na skuqen sytë gjatë kohës që lahemi në pishinë, nuk është vetëm sasia e klorit të shtuar në ujë për dezinfektimin e tij, por një menaxhim i dobët i riciklimit të mbetjeve të personave që notojnë.
Analizat e bëra nga ekspertët e CDC kanë treguar se agjentët acarues të paraqitur në ujë, të cilët provokojnë irritimin e syve, vijnë si pasojë e një kombinimi mes klorit, djersës, urinës dhe substancave të tjera të çliruara në pishinë.
Me rritjen e përqendrimit të këtyre produkteve, uji ndotet dhe sapo sytë hapen në pishinë, provokohen reagime që të gjithë ne i njohim.
Ajo që mendohet se e përkeqëson situatën është mungesa e mirëmbajtjes së pishinave, në lidhje me qarkullimin e ujit.
