Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e Holandës në Prishtinë, Robert Bosch.
Fillimisht në këtë takim, kryeprokurori Lumezi, nga ambasadori Bosch pranoi urimet për dekretimin e tij në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e njoftoi ambasadorin holandez me synimet e tij si kryeprokuror i Shtetit, me sfidat, me të cilat po ballafaqohet Prokurori i Shtetit, si dhe sistemi prokurorial i Kosovës në tërësi, si dhe me zbatimin e reformave në këtë sistem.
Kryeprokurori Lumezi, theksoi se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, terrorizmit dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi.
Në këtë takim ambasadori Bosch e inkurajoi kryeprokurorin Lumezi, që të punojë në forcimin e sundimit të ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në hetimin e rasteve që bëhen publike nga mediat, duke theksuar që prokurorët duhet të tregojnë rezultate dhe profesionalizëm të lartë në këto drejtime.
Po ashtu, ambasadori Beschi premtoi kryeprokurorit Lumezi, përkrahje dhe bashkëpunim të plotë nga ana e tij në të gjitha çështjet që mund të bashkëpunojnë Prokurori i Shtetit dhe Holanda, përmes ambasadës së saj në Prishtinë.
