Të dielen në mëngjes persona të paidentifikuar shkatërruan rrethojat e varrezave katolike në Llapushnik ku, përveç varrezave ishte paraparë të ndërtohet një objekt fetar për katolikë. Ky lokacion prej 2, 5 hektarësh ishte blerë nga famullia katolike pasi që më parë ishte shpronësuar nga komuna e Drenasit e cila i kishte dhënë të drejtë AKP – së ta shesë atë pronë. Procedurat e shpronësimit ishin kundështuar nga disa asambleistë komunalë të cilët kanë deklaruar se nuk janë përfillur procedurat për shpronësim. Në lokacionin e shpronësuar, komuniteti katolikë ka për qëllim të ndërtojë një kishë katolike dhe varrezat për katolikë ndërsa banorët e tjerë duan që aty t’i ndërtojnë lapidarët për dëshmorë të kombit, sqaron KMDLNj. Që katër ditë radhazi banorët e Llapushnikut kishin dalë në protestë që kundërshtonte ndërtimin e varrezave katolike dhe objektit fetar në lokacionin e paraparë për këtë.
Mbi këtë ka reaguar Këshilli për mbrojtjen dhe të drejtat e të lirive të njeriut (KMDLNj) duke kërkuar që të tejkalohet situate e krijuar pa tensione të panevojshme duke respektuar lirinë e besimit dhe të ushtrimit të fesë sipas bindjeve dhe përcaktimit që është e drejtë elementare e njeriut e garantuar me të gjitha dokumentet relevante për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës.
KMDLNj kërkon hetim të shpejtë për ata që rrënuan rrethojat e varrezave katolike si dhe përballjen e tyre me ligj. Gjithashtu KMDLNj shpreson se komuna e Drenasit do ta caktojë një lokacion për ndërtimin e lapidarëve për dëshmorët e kombit e cila nuk duhet të ndërlidhet apo kushtëzohet me kërkesat e komunitetit katolikë, thuhet në njoftim. / 21MEDIA
