Reichel: Opozita u diskualifikua me hedhjen e vezëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

I deleguari për Ballkanin i kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Ernst Reichel, ka komentuar veprimet e sotshme të opozitës në Kuvendin e Kosovës, duke i quajtur këta të fundit si jo-bashkëpunues.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka thënë se këta deputetët që gjatë seancës së sotme hedhën vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa, “e diskualifikuan vetën si bashkëbisedues në Kuvend”.
“ Ata janë të njëjtit njerëz që ankoheshin se kryeministri nuk po jep informata të mjaftueshme për rezultatet e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Reichel në Facebook.
Rikujtojmë se në seancën plenare fillimisht kryeministrit Mustafa i është ndërprerë fjalimi gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, pasi deputetë të partive opozitare e kanë gjuajtur me vezë.
Pengesa e parë nga opozita ishte zhurma e krijuar pasi deputetët opozitarë filluan të flasin, e më pas edhe të hedhin vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa.
Gjuajtja me vezë e kryeministrit Isa Mustafa filloi kur ai gjatë fjalës së tij tha se marrëveshjet me Serbinë dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.