Kompania Samsung ka siguruar klientët e saj, pas raporteve se mbi 600 milionë celularë Samsung Galaxy rrezikojnë të spiunohen për shkak të një dobësie në sistemin e këtyre “celularëve të mençur”, duke thënë se po punohet për të rregulluar problemin.
Masa që Samsung po merr është se po vë në përdorim “Samsung Knox”, e cila shërben për të rregulluar krisjen e sigurisë së tastierës që të mos lejojë sulmuesit në distancë të vjedhin kodin e përdoruesit të sistemit.
Kompania ka tërhequr vëmendjen përdoruesve që të aktivizojnë në celularët e tyre mundësinë që përditësimet e fundit rreth sigurisë të merren automatikisht.
Kompania ka thënë se mundësitë që hakerët të ndërhyjnë në sistem, duke shfrytëzuar këto dobësi, janë të vogla, por nuk e kanë mohuar rrezikun, prandaj kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Sipas Samsung, asnjë klient nuk ka raportuar ndonjë parregullsi ose dyshim për ndërhyrje në celularin e tij. Megjithatë, përditësimet e fundit për një siguri më të lartë, do të jenë të gatshme brenda pak ditësh për përdoruesit e Galaxy.
