Serbia nuk do t’i pranojë refugjatët të cilët Hungaria do të dëshirojë t’i kthejë prapa, madje edhe me çmim që ta dërgojë ushtrinë e vet në kufi, ka deklaruar sonte në Suboticë sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Punës Nenad Ivanisheviq.
Ai, para fillimit të një tubimi kushtuar të drejtave të njeriut të refugjatëve, u ka thënë gazetarëve se Serbia do t’i pranojë njerëzit që i nënshtrohen readmisionit, por kjo nuk vlen për pjesën më të madhe të refugjatëve të cilët ilegalisht kanë kaluar nga Serbia në Hungari.
“Ne s’do të pranojmë askënd. Dihet se ç’është readmisioni dhe në bazë të readmisionit do të pranojmë njerëz. Të gjithë që kanë kaluar në Hungari s’do t’i pranojmë, edhe me çmim që Serbia ta vendosë ushtrinë në kufi. Nuk do ta pranojmë atë numër të refugjatëve të cilët Hungaria i kthen. Ky është qëndrimi ynë prej sot dhe këtë duhet ta dinë të gjithë”, ka thënë Ivanisheviqi.
Readmisioni, ka sqaruar ai, bëhet me përcaktimin e vendit të origjinës dhe, para së gjithash, vendit të shtetësisë.
“Pra, nëse duan t’i kthejnë njerëzit – do të duhet t’i kthejnë në Greqi. Ai është vendi i parë i hyrjes në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ivanisheviqi.
Në Hungari sonte në mesnatë hyn në fuqi një ligj më rigoroz për kufirin shtetëror, i cili, mes tjerash, Serbinë e trajton si vend të prejardhjes së sigurt dhe mundëson kthimin e refugjatëve.
